Zhvillimi i bebit një javësh. Si ta ushqeni foshnjën?

0
448

Ajo është këtu!

Urime! Pas shumë javësh duke pritur dhe menduar, foshnja e vogël më në fund e ka bërë hyrjen e saj të madhe në këtë botë. Dhe shprehja ‘e pushtuar nga emocionet’ ka shumë gjasa që nuk është as afër përshkrimit të ndjenjave që keni tani. Pas të gjithave, gjatë një dite magjike, barku i fryer, i cili nuk kërkonte edhe aq shumë mirëmbajte, papritmas shndërrohet në një person të vogël, i cili duhet të ushqehet, t’i ndërrohen pelenat dhe të ngushëllohet 24/7. Pak e frikshme, apo jo? Na besoni, do të mësoheni me këtë ndryshim shumë më shpejt se sa e imagjinonit.

Për fat të mirë, foshnjat e sapolindura janë krijesa mjaft të drejtpërdrejta, të cilat kanë rutina të përditshme që fokusohen rreth gjumit, ngrënies, qarjes dhe ndërrimit të pelenave. Tani për tani, gjumi është gjëja kryesore. Mesatarja e gjumit e të porsalindurve është rreth 16 orë e gjysmë në ditë dhe për disa foshnja më shumë orë se kaq. Për momentin, shijoni paqen e çastit dhe mundohuni të gjeni pak kohë për të fjetur edhe ju.

Si të ushqeni foshnjen tuaj të sapolindur

Edhe pse orari i gjumit të foshnjës është shumë i ngjeshur, ju duhet të inkuadroni edhe kohën e ushqimit.  Një foshnje e porsalindur duhet të ushqehet 8 deri në 12 herë në ditë (ose çdo dy deri në tre orë) për të ndërtuar një furnizim të mjaftueshëm me qumësht. Koha mes ushqimit mund të jetë pak më e gjatë, nëse foshnja ushqehet me shishe. Por meqenëse një fëmijë i përgjumur mund të mos jetë i interesuar të ushqehet, mund t’ju duhet të provoni disa gjëra për ta bindur atë të ha. Për shembull, zbërtheni pullat e rrobave të foshnjës, në mënyrë që ajri i freskët ta ndihmojë të zgjohet, ledhatoni gojën e saj me gishtin tuaj për të stimuluar refleksin e saj të thithjes ose fryji lehtë në fytyrën e saj. Përderisa përgjumja e saj zhduket gjatë javëve të ardhshme, bëhuni gati për një rritje të madhe të oreksit të saj.

Përshtatja me të porsalindurin tuaj

Edhe pse foshnja është e mrekullueshme, nuk është aq perfekte sikurse duken foshnjat tjera në reklamat e pelenave. Fillimisht, mund ta shihni kafkën e çuditshme, që vjen si pasojë e një lindje natyrale e cila ka shtypur eshtrat e buta në kokën e të porsalindurit tuaj. Gjatë një viti e gjysmë, ato eshtra do të bashkohen gradualisht, duke forcuar atë pjesën e butë, për të cilën keni dëgjuar shumë shpesh. Por, do të duhet vetëm disa javë që koka e foshnjës suaj të kthehet në formë normale. Mos keni frikë të flisni me pediatrin tuaj nëse brengoseni.

Gjëra të çuditshme të të porsalindurve

Gjithashtu, ju mund ta keni vënë re se foshnja juaj ka disa qime në disa pjesë të trupit. Ajo quhet lanugo, një shtresë e cila e ka mbrojtur lëkurën e saj në miter dhe pas javëve të para ajo duhet të zhduket. Pastaj, janë ato gjinjtë pak të enjtura, që janë rezultat i hormoneve që foshnja ka marrë në mitër. Si gjithçka tjetër, ato do të rikthehen në formën e tyre normale pas disa ditësh.

Çfarë të bëni për trungu i kordonit të kërthizës

Një suvenir të fundit të jetës së foshnjës para lindjes është trungu i kordonit të kërthizës. Duhet përafërsisht 5 javë derisa mbetja të bjerë. Deri atëherë, përdorni një pambuk me alkool për ta lyer një herë në ditë në mënyrë që të mos infektohet. Mbajeni të terur që të shërohet më shpejtë. Kjo do të thotë që ju duhet ta shtyni procesin e larjes të gjithë trupit të foshnjës. Thjeshtë shtrijeni foshnjën në një peshqir dhe pastrojeni me një leckë të lagur me ujë të ngrohtë, pastaj foshnja duhet tharë. Nuk duhet fare sapun. Nëse trungu i kordonit të kërthizës fillon të pikojë ose rrjedh gjak, bisedoni me pediatrin tuaj.

Bazat e gjidhënjes

Gjidhënia është e mirë për foshnjat, veçanërisht në javët e para, kur ekspertët besojnë se qumështi i gjirit përmban antitrupa shtesë për të rritur sistemin imunitar të fëmijës. Por si një nënë e re, ju mund të mos e konsideroni ushqyerjen me gji si një përvojë e përsosur për të krijuar lidhjen që keni parashikuar. Ndoshta foshnja juaj nuk ha si duhet, nuk mund të gjesh një pozicion të rehatshëm, ose thithat e tua janë të thata si shkretëtira Gobi. Para se të hiqni dorë, thirrni përforcime, duke i kërkuar mjekut obstetër-gjinekologut, ose pediatrit t’ju referojë tek një konsulent i laktacionit.

Pse keni ndryshime të shumta të disponimit

Përveç problemeve të gjidhënies, është krejtësisht normale të përjetosh disa ndryshime të disponimit gjatë javëve të ardhshme. Hormonet e paslindjes suaj janë shumë të luhatshme. Në atë grumbull të hormoneve dhe emocioneve, kujdesuni për veten duke fjetur kur keni mundësinë, duke i kërkuar partnerit ose miqve tuaj për ndihmë dhe thjesht duke u larguar nga shtëpia çdo të dytën ditë, edhe nëse është vetëm për të shkuar në farmaci për më shumë peceta për gjinjë dhe pak çokollatë. Nëse një disponim i keq nuk largohet pas disa ditësh, ose nëse ndiheni plotësisht e mbushur me emocione, bisedoni me mjekun tuaj. Depresionin pas lindjes mund ta keni në çdo kohë gjatë vitit të parë dhe mund të ju bëjë të paaftë, prandaj sigurohuni që të merrni ndihmë.