Trendet dhe dizajnet moderne të kuzhinave

0
494
Trendet dhe dizajnet moderne të kuzhinave

Mermeri, trendi i fundit që nuk duhet të mungojë në kuzhinën tuaj

Kuzhinat janë një element që nuk mungon në asnjë shtëpi. Ka shumë dizajne, ngjyra dhe modele, të cilat mund ta bëjnë zgjedhjen e një kuzhine pak më të vështirë. Më poshtë mund të lexoni për disa trende të dizajneve më të fundit.

Dëbora Fazliu, dizajnere e enterierit, thotë se kohëve të fundit interesimi për dizajnimin e kuzhinave është rritur dukshëm. Ajo shprehet se klientët më shumë anojnë nga dizajnet më minimale, pra jo të ngarkuara shumë me ngjyra.

Tregu sot është pasuruar shumë me mekanizma të reja për hapjen e dollapeve. Tek ne më e njohur është dyqani “Blum”, ku mund të gjeni mekanizma shumë efektivë dhe të qëndrueshëm për hapjen me prekje.

Një ndryshim tjetër i dukshëm në shijen e qytetarëve të Kosovës është përdorimi i mermerit të bardhë në kuzhina. Fazliu thotë se arsyeja qëndron tek ngjyra e bukur dhe e ndjenjës elegante që jep ai.

 -“Mermeri shpesh kombinohet edhe me ngjyra të mbyllura për të krijuar një kontrast mjaft të bukur. Një tjetër dizajn që iu pëlqen njerëzve me shije specifike dhe më të ftohta, janë kuzhinat, të cilat janë të gjitha të bardha. Kjo krijon një pamje të pastër dhe të hapur.”- shpjegon dizajnerja.

Në Kosovë, interesimi është drejtuar në dizajne bashkëkohore, jo shumë të ngarkuara për nga forma, si dhe në përdorimin e ngjyrave të ndryshme për të krijuar një atmosferë të dëshirueshme.

Por, për të gjithë ata që duan të blejnë një kuzhinë të re apo ta rimodelojnë atë që e kanë, Fazliu thotë se gjëja e parë që duhet të merret parasysh është funksioni.

-“Dizajni i kuzhinës është i lidhur ngushtë me faktorët si numri i pjesëtarëve në familje, numri i personave të cilët gatuajnë në shtëpi etj. E rëndësishme është të zgjidhen materialet me kujdes. Përdorimi i materialeve të qëndrueshme dhe rezistente ndaj lagështisë dhe njollave ndikon shumë që kuzhina të ketë jetëgjatësi më të madhe. Përveç asaj është më mirë të evitohen format e komplikuara për shkak të vështirësisë së pastrimit. Rëndësi jashtëzakonisht të madhe ka vendosja e duhur e prizave për të lehtësuar punën dhe për të mbajtur hapësira të pastërta dhe jo të ngarkuara nga kabllot. Çdo gjë duhet të mendohet dhe organizimi dhe dizajni i gjithë hapësirës duhet të jetë i kompletuar para se të fillojë implementimi.”- shpjegon Fazliu.

Shumë njerëz besojnë se punësimi i një dizajneri është një luks i panevojshëm. Ata mund të mendojnë se dizajni i enterierit fillon e përfundon në zgjedhjen e dekoreve. Por, realiteti është ndryshe dhe dizajnimi i gabuar i një hapësire vërehet atëherë kur fillohet të jetohet në të.

Fazliu gjithashtu ka disa këshilla për ata që duan një kuzhinë të re:

– Duhet të krijohet një hapësirë vizualisht e pastër, pra çdo pajisje duhet ta ketë vendin e caktuar dhe të mos ketë gjëra të panevojshme mbi banak.

– Duhet të ketë një hapësirë të mjaftueshme për përpunimin e ushqimit.

– Një rëndësi të madhe ka ventilimi. Për shkak të yndyrave, të cilat lirohen gjatë gatimit, mund të krijohen shtresa të padëshirueshme në sipërfaqet e kuzhinës. Për ata që nuk duan t’i shohin ventilatorët, ekziston mundësia për t’i kamufluar me dollape. Kjo ndihmon në ruajtjen e harmonisë, e cila krijohet nga vijat e drejta dhe sipërfaqet e pandërprera të dollapeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutem vendosni komentin e juaj?
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu