A do të mund ta ushqej fëmijën me gji kur të filloj punën?

0
455

Në fakt kjo është një nga brengat më të mëdha të një nëne. Por përgjigjja jonë është:

Po, ti mundesh. Nëse punon afër shtëpisë apo çerdhes ku ke lënë foshnjën do të mundesh ta ushqesh beben. E nëse jo, atëherë ke dy mundësi;

Opsioni 1.

Ti mund ta pomposh qumështin e gjirit dhe ta ruash atë, në frigorifer. Edukatoja mund t’ja japë foshnjes tuaj shishen me qumështin e gjirit. Ju sërish do të mund ta ushqeni direkt nga gjiri juaj , kur të ktheheni në shtëpi.

Opsioni 2.

Nëse nuk doni apo nuk keni mundësi të shtrydhni gjirin gjatë orarit të punës, atëherë mund t’i zëvendësoni ato vaktet me qumësht formule, por vazhdoni t’i jepni gji gjatë natës, si dhe vaktin e mëngjesit, përpara së të shkoni në punë. Mos harroni se nëse nuk e shtrydhni gjirin disa herë gjatë ditës, prodhimi i qumështit do të ulet.

Cilat janë avantazhet e pompimit të gjirit gjatë punës?

Shtrydhja e gjirit me pompë, ndërkohë që ju jeni në punë bën që gjiri të stimulohet dhe të rrisë prodhimin e tij. Bebi juaj do të ketë avantazhin të ushqehet me qumësht gjiri në kohën që ju jeni duke punuar dhe do të përfitojë të gjithë nutrientët natyral që ai përmban. Të vazhdosh gjidhënien ju mundëson të kurseni para. Gjithashtu fëmijët tuaj do të jenë më pak të prekur nga viruset, pasi janë më të mbrojtur nga vlerat nutritive që përmban qumështi i nënës.