Pjetër Nrecaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas dhe vajzës

0
247

Pjetër Ndrecaj, që në gusht të vitit të kaluar vrau gruan dhe vajzën e tij është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg të përjetshëm.

Veprimet e të akuzuarit Pjetër Ndrecaj janë ricilësuar si “Vrasje e rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.11., i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm. Transmeton gazeta Express

Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese, e ato posaçërisht rënduese dhe se këto rrethana mbizotërojnë shumëfish më tepër.

Pranimi i fajësisë thuhet më tutje në aktgjykim dhe shqiptimi i dënimit unik prej 24 viteve burgim, nuk është adekuat me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit. Kjo për faktin se janë shkaktuar pasoja tepër të rënda me rastin e privimit nga jeta të bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij K.N., e që ka mundur të shkaktohen pasoja edhe më të rënda.

Gjykata e Apelit vlerëson se duke qenë se janë shkaktuar pasoja tejet të rënda si objekt mbrojtës i veprës penale vrasje e rëndë, e që është jeta e njeriut si vlera më e madhe e mbrojtjes penalo juridike dhe vepra penale është kryer në rrethana posaçërisht renduese, në këtë mënyrë janë plotësuar dy kushte ligjore nga neni 44 i KPRK-së, për shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm.

Përveç kësaj, i akuzuari në mënyrë permanente, ka pasur sjellje të këqija ndaj bashkëshortes së vet, duke ushtruar dhunë. Po ashtu, vepra penale është kryer në prezencë të fëmijëve dhe vëllezërve të viktimës, e ku pasojat kanë mundur të jenë edhe më të rënda.

Për vrasjen e 7 gushtit të vitit 2018, Nrecaj nga Gjykata Themelore në Gjakovë ishte dënuar me 24 vjet burgim.

Lidhur me këtë vendim qenë organizuar edhe protesta, e kishte pasur shumë reagime.