Përse unë nuk jam një mama perfekte për fëmijët e mi?!

0
478

Kur një nga drejtueset më të larta të Facebook, Sheryl Sandberg shkruante në librin e saj “Lean in” të përkthyer në shqip “ Të bëjmë përpara”,  se për të qenë e përpiktë me oraret i duhej shpesh t’i vishte fëmijët që në darkë për të nesërmen, ndërgjegjia ime si një nënë në tentativë për të qenë perfekte u qetësua.

Dhe e dini pse? Kisha disa ditë që e praktikoja  një gjë të tillë, pasi po vonohesha gjithnjë e më shumë për në punë, si edhe nga tekat e vajzës.

-“Kjo veshje nuk më shkon”. Kjo është ngjyrë për djem etj, etj.

Kështu pasi luftova kaq shumë për të qenë një nënë perfekte, përfundimisht më duhet ta pranoj se unë jo vetëm nuk jam e tillë, por shpeshherë jam një nënë e keqe. Vetëm duke e pranuar në këtë mënyrë kam gjetur paqe me veten.

Epo fundja, unë kam vetëm dy duar dhe nuk mund të jem edhe aty edhe këtu.

Pasi për një muaj rresht u mundova të isha Super Mami dhe të sterilizoja çdo shishe të qumështit, një natë thashë:

– Stop! Shkova zvarrë – zvarrë drejt çezmës e shpëlava shishen dhe e mbusha me qumësht. Kaq ishte. Askush nuk më pa. Epo ai po qan duhet të veproja shpejt. Ta marrë dreqi pastërtinë!

E dini që më ndodh shpesh të më zgjojnë fëmijët me hedhje si në ring mbi krevat, disa shkulje flokësh dhe ndukje faqesh, a thua se nuk je gjë e gjallë prej mishi e shpirti. Ja iku dhe rituali i një zonje të vërtetë shtëpie që zgjohet e para dhe përgatit mëngjesin për familjen e saj. Epo të sillem dhe unë sikur ka “burrë” kjo shtëpi.

Shpeshherë nuk ja kam dalë as në përpjekjen time për t’u ushqyer në shtëpi. Një pica e porositur jashtë ka qenë zgjidhja perfekte për të ngopur një fëmijë që me javë nuk hante asgjë. Bekuar qofshin picat!

-“Mami duhet të lajmë dhëmbët se na prishen! – më thotë vajza.

-“S’ka gjë mam, nuk prishen nëse nuk i lajmë një natë. (Pas ritualit të larjes së dhëmbëve, vjen kërkesa për një gotë ujë. Pastaj duhet të gjejmë lodrën e preferuar, pasi pa atë nuk na zë gjumi. Po që i kap uria fiks kur vjen ora për fjetur?! Duke prishur rutinën e larjes së dhëmbëve u japim fund dhe kësaj liste me kërkesa.

Më ka pëlqyer gjithnjë ajo skena e famshme në filma, e leximit të librave përpara gjumit. Por ka pasur netë kur jam gëzuar tej mase, kur vajza ka kalur 5 faqe njëherësh. Kaq ishte tani do të flemë!

Sa e sa herë i kam shtyrë drejt televizorit apo tabletës vetëm e vetëm për të fituar një qetësi me veten,  apo për të vazhduar bisedën në viber me shoqen, e cila në fakt është beqare dhe nuk e ka idenë si është të shkruash mesazhe në telefon, ndërkohë që mbush shishen me qumësht për djalin dhe i mëson oturakun vajzës.

Fundja, nuk ka një mënyrë perfekte për të qenë një nënë e mirë. Secila prej nesh mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, sipas mundësive, rrethanave , por edhe sipas fëmijëve dhe tekave të tyre .

Edhe unë nuk mund të jem perfekte, por kur i shikoj fëmijët e mi, them se ata janë kulmi i perfeksionit tim.

 

Lexo edhe: http://cicerima.com/jeta-pas-marteses-dhe-me-femije-ne-mes/