Nga 1 tetori shtohet edhe një vaksinë e re për fëmijët

0
127

Problemet e shumta të gastroenteritit tek fëmijët e vegjël, të cilat shoqërohen me të vjella dhe barkqitje të shumta kanë krijuar nevojën për të shtuar edhe një vaksinë në Protokollin e imunizimit në Shqipëri.

Infeksioni nga Rotavirus është shkaku më i shpeshtë i gastroenteritit tek foshjat dhe fëmijët e vegjël. Thuajse të gjithë fëmijët deri në moshën 5 vjeç infektohen të paktën një herë nga Rotavirus dhe shumë prej tyre kërkojnë trajtim mjekësor ose spitalor për shkak të dehidrimit.
Një vaksinë ndaj Rotavirusit, e cila merret nga goja, ekziston dhe do të futet në programin kombëtar të vaksinimit të aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Vaksina do të aplikohet, në moshën 2, 4 dhe 6 muaj duke filluar ne datën 1 Tetor 2019.
Në datat 11 dhe 12 Shtator 2019 u trajnuan pranë ISHP-së epidemiologët dhe kryevaksinatorët e njësive vendore të kujdesit shëndetësor ne lidhje me infeksionet nga Rotavirus, vaksinat dhe imunizimi ndaj Rotavirus, mënyra e aplikimit të vaksinës, efektet anësore dhe kujdesi ndaj tyre, siguria e vaksinave, kundërindikimet etj.

Këta specialistë do të zhvillojnë trajnime kaskadë me të gjitha qendrat shëndetësore, ku do të aplikohet vaksina.
Imunizimi ndaj Rotavirus do të reduktojë në mënyrë të ndjeshme gastroenteritet tek fëmijët e vegjël.