Mjekët i hoqën aparaturat, Alfie vdes në krahët e nënës

0
500

Ka ndërruar jetë vogëlushi britanik, Alfie Elvans, 23 muajsh, të cilit ju hoqën aparaturat që e mbanin në jetë, me vendim të Gjykatës britanike, pas kërkesës së mjekëve.

Gjykatësit britanik kishin refuzuar ta dërgonin për mjekim në Itali , shtet i cili i dha Alfiet nënshtetësinë për të vazhduar mjekimin, duke e bërë këtë një nga debatet më të mëdha mes sektorit shëndetësor dhe të drejtës prindërore.

Lajmin për vdekjen e tij e dha i ati i cili shkruan:

“ Gladiatori im uli mburojën dhe fluturoi në qiell. Jam i dëshpëruar. Të dua shumë djali im.”

 

Vendimi i Gjykatës britanike hasi në kundërshtimin e qindra qytetarëve, të cilët protestuan në favor të mjekimit të vogëlushit në Itali. Sipas organit të drejtësisë britanike vazhdimi i mjekimit të Alfit në Itali do të ishte kundër interesit të fëmijës.

Sipas mjekëve, vogëlushi vuante nga një sëmundje e rrallë dhe e pashërueshme degjenerative e sistemit nervor.

Edhe pse më 23 Prill atij ju hoqën aparaturat vogëlushi jetoi duke marrë frymë vetë, në krahët e nënës së tij.

Pas vdekjes së Alfie – it  mjekët kërkuan të respektohej privatësia e tyre, por edhe e familjes së vogëlushit, pas kësaj ngjarjeje shkatërruese për të dyja palët.