“Mësimet e Diolës” një libër për të gjithë familjen!

0
897

 

Librin ” Mësimet e Diolës”, ushqim për çdo sëmundje, tani mund ta gjeni edhe në Panairin e Librit në Tiranë. Nutricionistja Diola Dosti zbulon më shumë informacion rreth librit të saj të parë, ekskluzivisht për portalin Cicërima. 

  1. Së pari Diola, nga të erdhi frymëzimi për këtë libër kaq të veçantë?

Kam kohë në fakt që e mendoj që komplet eksperiencën time me pacientë të ndryshëm, por edhe studimet që vazhdimisht i lexoj dhe i postoj tek ‘Mësimet e Diolës’, t’i kem në një vend. Kështu lehtësohen edhe lexuesit, pasi kanë një orientim më të mirë, por edhe unë lë diçka me vlerë siç është libri. Një pasuri që nuk humbet kurrë. E kam pasur në mendje që pesë vite me rradhë, por thjesht ka qenë mungesa e kohës për ta bërë. Pastaj afrimi i shtëpisë botuese, më shtyu më shumë që unë të punoj dhe t’i përmbledh të gjitha, duke i selektuar me sëmundjet që janë më shumë të përhapura në vendet shqipfolëse.

2. Ku fokusohet ky libër?

Libri liston sëmundjet më të shpeshta me të cilat jam hasur unë me pacientët dhe klientët e mi, duke filluar nga shkronja A deri në Zh, sipas alfabetit. Për secilën sëmundje, ka një zgjidhje së paku (preferoj ta quaj menaxhim të sëmundjes, sesa kurim) dhe ushqimet që duhen përgjithësisht të evitohen. Këto janë të bazuara në studime shkencore. Listohen ushqimet më të mira si dhe disa ‘trajtime natyrale’ që ndihmojnë në menaxhimin e sëmundjeve. Nuk ka një zgjidhje për gjithçka, kështu që këto lista zgjidhjesh janë të përgjithshme dhe grumbullime nga hulumtime shkencore, që dëm nuk bëjnë, pasi kanë bazë ushqimet dhe jo ilaçet, pasi medikamentet i ka mjeku.

Libri ka edhe foto që lidhin ushqimin me natyrën, madje personalisht jam përpjekur që unë të jem brenda fotove për të dhënë sa më shumë mesazhin që natyra, ushqimi dhe pamja e shëndetshme, janë një trinom i pandashëm. Gjatë punimit të librit kam dashur të shkruaj librin që gjithmonë kam dashur ta lexoj. Dhe këtë bëra. Më kujtohet para 4 vitesh, porosita një libër online mbi sëmundjet (pasi në shqip nuk gjeja) dhe fillova të dashurohesha me autorin e librit (që kishte vetëm një foto në kopertinën e librit të tij), e kërkoja në internet, të shihja fotot e tij dhe videot se si fliste ai mbi ushqimet e ndryshme. Nga ai moment, mendoja që kur të bëj një libër, do ta bëj edhe fotot e mia brenda, pasi pa foto, do më dukej si gjysëm, sepse mesazhi i lidhjes me ushqimet, nuk jepej i plotë. Dhe këtë e arrita.

  1. Kush duhet ta ketë patjetër këtë libër në dorë?

Në radhë të parë të gjithë ata që duan veten, që duan të kujdesen më shumë për familjen, pasi aty gjen zgjidhje edhe për një dhimbje koke apo migrenë, apo ulje ngritjet e tensionit, që sot fatkeqësisht, janë të rralla familjet komplet të shëndetshme. Dua të them, të gjithë kemi fëmijë që mund të djegin qoftë edhe gishtin, apo gjyshër me probleme zemre, tensioni, diabeti, apo bashkëshortë që ankohen së paku nga diçka, apo prindër me probleme tiroidesh etj me rradhë. Uroj shumë të mos të kemi, por me këtë standart ushqimor që shohim çdo ditë, kjo do të ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Libri është i nevojshëm edhe për studentët që duan shkencat e natyrës, mjekësinë pasi ka shpjegime të punimeve shkencore, mekanizma, reaksione, prandaj edhe për ta është i përshtatshëm. Por edhe për ata që janë shumë të shëndetshëm dhe thjesht duan të marrin më shumë njohuri mbi ushqime të caktuara, mbi mënyrën se si këto ushqime ndikojnë në sëmundje të caktuara, pasi jam përpjekur që edhe gjuha të cilën e përdor, të mos jetë tipike shkencore, por edhe sa më e thjeshtë, duke lënë kështu të kuptoj, që ky libër është I përshtatshëm për të gjithë, pa përjashtim.

  1. Në cilat librari mund ta gjejmë?

Në Kosovë gjendet pothuajse ne secilën librari. Ndër me kryesoret në Prishtinë janë Dukagjini, Buzuku, Toena, Artini ndërsa tani, duke qenë se libri edhe pse ka shumë pak muaj që ka dalë në treg (me 22 shtator 2017), kaloi edhe kufirin shqiptar dhe tashmë gjendet edhe në librarinë ‘Albania’ në Tiranë.

  1. A jeni prezentë në Panairin e Librit që po mbahet në Tiranë?

Sigurisht. Nën stendën me emrin Kosova.

  1. A është në planet e tua ndonjë libër tjetër?

Kam filluar të mendoj për librin e dytë dhe patjetër që 2018 do të jetë viti i librit tim të dytë. Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tim të shpërndarjes së njohurive mbi nutricionin në gjuhën shqipe.

Diola Dosti – Baftiu është nutricioniste e njohur, e cila zhvillon aktivitetin e saj në klinikën “Sanus” në Prishtinë dhe në zyrën e nutricionit në Ferizaj. Ajo njihet si autore e faqes “Mësimet e Diolës”, ku ndan me ndjekësit këshilla mbi shëndetin dhe ushqyerjen e shëndetshme. Kontakt tel. 045/ 94 24 24 email: dioladosti@yahoo.com