Këto janë testet që duhet të kryejë patjetër një shtatëzënë

0
513

Intervistë me obstetër – gjinekologun Dr. Memli Morina:

  1. Doktor cilat teste duhet të kryhen gjatë shtatzënisë, në mënyrë që të kemi një bebe të shëndetshme?

Në mënyrë që të kemi një shtatëzëni të mbarë dhe një bebe të shëndetshme, rekomandohet që të bëhen disa analiza dhe ekzaminime. Në tremujorin e parë të shtatzënisë bëhet skrinimi i cili ka për qëllim që të përcaktojë rrezikun që fetusi të ketë disa defekte të lindura. Kjo nënkupton kryerjen e ekzaminimit të detajuar ultrasonografik përmes të cilit matet edhe e ashtuquajtura translucenca nukale (NT) që është pjesa e pasme e qafës së fetusit. Kjo matje e NT mund të kombinohet me dy parametra të gjakut të nënës (PAPP-A dhe hCG) dhe këto së bashku determinojnë rrezikun që fryti të ketë trisominë 21 (ose sindromi Down) si dhe trisominë 13 dhe 18. Nëse rezultatet e këtij skrining testi dalin jonormale, atëherë duhet të bëhet biopsia e vileve koriale ose amniocenteza.

Në trimestrin e parë duhet pajetër që të bëhen disa analiza laboratorike. Duhet që të përcaktohet grupi i gjakut dhe Rh faktori, duhet të bëhet analiza e gjakut dhe urinokultura si dhe disa analiza tjera.

Gjatë shtatzënisë duhet të bëhet edhe testi i ngarkesës me glukozë i cili bëhet nga java e 24 deri në javën e 28. Nëse vlera e glukozës del e lartë atëherë duhet që të përcillet shtatzëna për të vërtetuar se a bëhet fjalë për intolerancë në glukozë apo edhe diabet gestacional.

Në termin të lindjes, rreth javës së 35 deri 37, rekomandohet që të bëhet skrinimi për praninë e streptokokut të grupit B. Prania e streptokokut të grupit B zakonisht nuk shkakton ndonjë problem tek gruaja shtatzënë, por mund të shkaktojë probleme serioze për beben e posalindur.

Në raste të caktuara mund të bëhen edhe analiza gjenetike për të vërtetuar rrezikun për disa çrregullime gjenetike si për shembull fibroza cistike, distrofia muskulare, hemofilia A, talasemia, drepanocitoza, sëmundja e veshkëve policistike etj.

2. A është i sigurt ekzaminimi ultrasonografik gjatë shtatzënisë dhe sa shpesh duhet të bëhet?

Nuk ka të dhëna se ekzaminimi ultrasonografik është i rrezikshëm nëse përdoret sipas udhërrëfyesve dhe sipas rekomandimeve. Ultrazëri përdoret në obstetrikë që disa dekada dhe nuk janë vënë re dëmtime të frytit ose të shtatzënës si pasojë e përdorimit të ultrazërit.

Ekzaminimi i parë ultrasonografik duhet të bëhet në  trimestrin e parë për të vërtetuar se bëhet fjalë për shtatzëni brenda në mitër, për të vërtetuar se fryti po zhvillohet pa probleme dhe për të përcaktuar numrin e fetuseve. Ekzaminimi tjetër i domosdoshëm është skriningu ultrasonografik i trimestrit të dytë kur duhet të vërtetohet anatomia normale e frytit. Në trimestrin e fundit bëhet ekzaminimi ultrasonografik për të përcaktuar vendosjen e frytit, sasinë e lëngut amnial si dhe përmasat e frytit. Ndonjëherë, mund të shfaqen probleme dhe në këto raste duhet të përsëritet ekzaminimi me ultrazë. Kjo ndodh për shembull nëse ka mospërputhje midis javëve të shtatzënisë dhe përmasave të frytit (në këtë rast dyshohet për ngecje të rritjen së frytit) ose në rastet kur shtatëzëna ka probleme shëndetësore si për shembull diabet ose shtypje të lartë të gjakut.

3. Ç’është NIPT testi për të cilin po flitet kaq shumë?

NIPT (noninvasive prenatal testing) është një analizë e gjakut, e cila zbulon shumë çrregullime gjenetike përfshirë dhe sindromin Down. Testi është joinvaziv dhe nuk paraqet asnjë rrezik as për shtatzënën dhe as për frytin. Bëhet duke marrë 10 ml gjak të shtatzënës dhe në këtë mostër të gjakut analizohen fragmented e ADN nga placenta. Ky test është rreth 99% i sigurt. Përgjigja e testit merret brenda një jave. Ky test mund të bëhet nga java e dhjetë e shtatzënisë.

4. Çfarë këshille keni për një grua shtatzënë?

Këshilla ime është në rradhë të parë për secilën grua e cila planifikon që të mbetet shtatëzënë. Rekomandohet që përpara shtatzënisë të bëhet një konsultë me mjekun për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të asaj gruaje, për të përjashtuar problemet e mundshme si dhe për të filluar marrjen e suplementeve vitaminoze në mënyrë që të fillojë një shtatzëni e shëndetshme. Pastaj, sapo të shfaqen shenjat e mundshme të një shtatzënie duhet të konsultohet mjeku për të konfirmuar se bëhet fjalë për një shtatzëni të rregullt. Gjatë kësaj vizite shtatzënës do t’i jepen këshilla për mënyrën e shëndetshme të të jetuarit, për stilin e shëndetshëm të jetës, për ushqimin, aktivitetin fizik, eliminimin e faktorëve të rrezikshëm që të mund ta rrezikojnë shtatëninë si dhe shenjat të cilat tregojnë për ndonjë rrezik të mundshëm. Është shumë me rëndësi që të me mjekun i cili e përcjellë shtatzëninë të krijohet një raport mirëbesimi në mënyrë që edhe shtatzëna e edhe bashkëshorti i saj ta kenë një burim informacioni të besueshëm për secilën brengë që mund ta kenë. Sot, është e mundur që të merren informacione nga burime të ndryshme të cilat ndonjëherë mund të mos jenë të besueshme, prandaj ju rekomandoj që secilën brengë që mund ta keni ta diskutoni detalisht me mjekun tuaj. Uroj të keni një shtatzëni të mbarë dhe një bebe të shendetshme!

Klinika gjinekologjike Dr. Memli Morina cel. 045 725 725

Lexo edhe: http://cicerima.com/mund-te-parandalohen-defektet-ne-lindje/