Jeta pas martesës… dhe me fëmijë në mes!

0
678

A është jeta pas martesës dhe me fëmijë në mes ashtu sikurse e kishit imagjinuar?! Për mua jo! Kisha menduar se jeta ne çift do të ishte njësoj me dreka e mbrëmje jashtë, por tashmë jo të dy, por të tre, ose pse jo të katërt bashkë.

Në fakt paska qenë krejt ndryshe. Jeta pasmartesore dhe me fëmijë në mes më ka gjetur më shumë në shtëpi, aq sa edhe vajza ime e madhe ja kujton çdo kujt që takon se mami i saj nuk dëshiron të dalë, por i pëlqen shtëpia. E besoni dot?


Sigurisht që jo.

Më ka marrë malli për një drekë ose një gotë verë me bashkëshortin. E kam planifikuar që përpara katër vitesh dhe ende nuk e kam realizuar. E vetmja herë ishte kur e lashë vajzën e madhe tek prindërit dhe përfundova me burrin për një pica të shpejtë… dhe biseda që vërtitej rreth picirrukes sonë. Çfarë do të jetë duke bërë? A ka ngrënë me gjyshen? Mos është vrarë diku? A fjeti në drekë apo i është shtyrë orari i gjumit dhe do më duhet ta duroj si zakonisht deri pas mesnate? 


Dhe që prej asaj dite, koha ime e lirë përfundon gjithnjë tek këndet e lojrave ose një shëtitje e shkurtër që përfundon prap atje..
e gjetët? Tek këndi i lojrave pra.
Po “takimet” me burrin?! I shënojmë me të kuqe në kalendar. Edhe kur ndodh … pas pesë minutash dëgjojmë zhurmën e dorezës së dhomës që po shkulet vendit. Janë fëmijët që po kërkojnë një lodër, e cila ka humbur para dy vitesh dhe duan mamin që t’ua gjejë. Epo ndoshta do të gjejmë kohë më vonë themi me vete, duke e ditur se na iku dhe një ditë tjetër nga ato me të kuqe në kalendar.


Martesa me fëmijë në mes është ai emocioni, teksa flasim për vajzën dhe se sa shumë vjersha që di të thotë, sa bukur thekson fjalët në anglisht apo sa mirë ka vizatuar në kopësht. Thua se fëmijët e tjerë nuk i bëjnë këto!
Martesa me fëmijë është ai momenti kur planifikon për të 100-ën herë një udhëtim të shkurtër dhe pastaj dorëzohesh… sepse me fëmijët do të jetë një lodhje më shumë dhe pas atij pushimi do të na duhen edhe dy javë të tjera pushim.


Ah se harrova! Martesa me fëmijët në mes është të përfundosh e vetme duke parë Dora – Dorën , apo Frozen edhe pse fëmijët i ka zënë gjumi në dysheme.
Martesa me fëmijë është dhe ai momenti i sikletshëm kur e fillon një diskutim me bashkëshortin dhe të ndërpritet mendimi 100 herë nga pyetjet e fëmijëve… Pse , pse, pse dhe pastaj kush ka forcë të lidhë fillin?!

Po fundjavat? Sa shpesh e gjej veten duke fshirë jo vetëm dyshemenë, por edhe muret e pikturuara me lloj – lloj vizatimesh ( kështu preferoj t’i quaj), ndërkohë që në kokën time vërtitet ajo pyetja 100 milion dollarëshe: a jam unë një prind i mirë?

Martesa me fëmijët në mes, me të vërtetë është më e rrëmujshme, me më pak pasion, më shumë nerva dhe të çjerrura …se unë nuk po ja dal dot. Por, janë ato fytyrat e vogla e të bukura, puthjet e tyre pa kursim, motivi që të zgjohem çdo ditë me mendimin se unë do t’ja dal vetëm për ta dhe sepse tashmë, nuk di të jetoj ndryshe. 

PËRGJIGJU

Ju lutem vendosni komentin e juaj?
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.