Fruthi në Kosovë rrezikon edhe foshnjet 6-9 muajshe

0
486

Përhapja e fruthit në disa komuna të Kosovës rrezikon të marrë përmasa edhe më të mëdha. Shtresat më të rrezikuara janë foshnjet nga 6-9 muajshe të cilat nuk e kanë marrë ende vaksinën MMR. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka marrë ende një vendim se a duhet t’u jepet MMR edhe më të vegjëlve, ndërkohë që janë thirur para kohe për t’u vaksinuar foshnjet mbi 9 muaj. Bebet deri në 6 muaj të nënave të vaksinuara kundër fruthit janë të mbrojtur nga imuniteti i nënës.

Drejtori i Shëndetit Publik të Kosovës Naser Ramadani tha se po vazhdon vaksinimi i fëmijëve të klasave të para me procedurë të rregullt, për të marrë dozën e dytë kundër fruthit.

-“Nuk paraqitet rrezik i infektimit me fruth tek fëmijët të cilët e kanë marrë dozën e parë të MMR në moshën 1 vjeçare, megjithatë në jemi në procedurë të vaksinimit të rregullt të fëmijëve 5-6 vjeç. Rastet e të infektuarve të paraqitura deri tani kanë qenë të gjithë të pavaksinuar kundër fruthit. Në asnjë rast nuk i ka rënë fruthi ndonjë personi që e ka marrë një herë vaksinën, pasi MMR është shumë efikase. – u shpreh Ramadani.”

Ndërkohë në qendrat e mjekësisë familjare është rritur fluksi i fëmijëve, të cilët presin në radhë për të marrë vaksinat.

– “Po është e vertetë që kemi thirrur të kryejnë vaksinat edhe foshnjet 9 muajshe. Pra disa muaj më herët se data sipas kalendarit zyrtar të imunizimit në Kosovë.  Kjo është bërë  për të shmanguar tragjedi të tjera si ajo në Fushë Kosovë. – tha mjeku pediatër Hajriz Ibrahimi. 

K. Veseli tregon se djali i tij është 19 muajsh dhe e kanë thirrur për t’i dhënë vaksinën MMR.

-“ Më kanë thirrur vet personeli mjekësor, por ende nuk kam vendosur t’ja jap vaksinën MMR kundër fruthit. Besoj se do të marrim një vendim shumë shpejt përderisa tani ka dhe viktima nga fruthi.

 

                                   Çfarë është vaksina MMR?

  • Vaksina MMR është vaksinë, e cila jepet kundër sëmundjes së fruthit, shytave dhe rubeolës.
  • Ajo jepet në dy doza një herë në moshën 12-18 muajshe dhe një herë në moshën 5-6 vjecare.
  • Ajo rekomandohet për të gjithë fëmijët.
  • Nëse ti je një i rritur që nuk e keni marrë vaksinën MMR , atëherë duhet ta bëni këtë sa më parë.

                                         Çfarë është fruthi?

  • Fruthi është një sëmundje shumë serioze që përhapet nëpërmjet ajrit dhe qëndron aty përreth dy orë.
  • Ai shoqërohet me temperaturë, kollë, rrjedhje hundësh, skuqje sysh si dhe pucrra të vogla, të kuqe, të cilat shfaqen në fillim në fytyrë pastaj në trup.
  • Nëse virusi prek mushkritë mund të çojë deri në pneumoni.
  • Tek fëmijët më të mëdhenj në moshë fruthi, mund të shkaktojë dëmtime të rënda të trurit.

                                     Çfarë janë shytat?

  • Shytat janë enjtje e gjëndrave të cilat ndodhen poshtë veshit.
  • Përpara se të shpikej vaksina shytat ishin shkaktari kryesor i meningjitit

( dëmtim i trurit) dhe çonte deri ne shurdhësi.

  • Tek meshkujt virusi prek edhe testikujt, duke ndikuar në fertilitet.

                                     Çfarë është rubeola?

Rubeola njihet ndryshe si fruthi gjerman.

  • Ajo shkakton skuqje të lehtë të lëkurës, fryrje të gjendrave posht veshit, temperaturë mesatare.
  • Shumë fëmijë kurohen lehtë pa asnjë pasojë. Por nëse një femër shtatëzënë preket nga rubeola, pasojat tek fetusi janë fatale, pasi fëmija mund të lindë i verbër, i shurdhër ose me probleme të zhvillimit mendor.

Kush nuk duhet ta marrë vaksinën MMR?

  • Nëse jeni alergjik ndaj vaksinës.
  • Nëse jeni alergjik ndaj xhelatinës dhe neomicinit.
  • Nëse jeni shtatëzënë ose planifikoni të mbeteni në katër muajt e ardhshëm

( nuk ka asnjë problem nëse jeni nënë gjidhënëse).

  • Nëse imuniteti juaj është i dobët për shkak të kancerit, HIV ose marrjes së kortikosteroidëve.

Vitet e fundit është spekuluar se vaksina MMR është shkaktare e çrregullime të spektrit autik, ndaj shpesh është refuzuar nga prindërit për t’ua dhënë fëmijëve.

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutem vendosni komentin e juaj?
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.