Çfarë duhet të dimë për konvulsionet febrile tek fëmijët

0
548
konvulsione

Konvulsionet Febrile

Konvulsionet febrile konsiderohen si lloji më i shpeshtë i konvulsioneve tek fëmijët e moshës 3 muaj deri në 5 vjeç. Konvulsionet janë të dridhura të pavullnetshme të ekstremiteteve me tonizim të trupit.

Me futjen në përdorim të termometrit në fundin e viteve 1880, u kuptua se temperatura ishte faktori primar në shkaktimin e konvulsioneve febrile.

Konvulsionet febrile janë dy llojesh: të thjeshta dhe komplekse

Konvulsionet febrile “të thjeshta” karakterizohen nga kriza të shkurtra, përgjithësisht të gjeneralizuara me kohëzgjatje deri 5 apo më shumë minuta, të shoqëruara nga temperatura e lartë.

Forma e dytë e konvulsioneve është forma “komplekse”: karakterizohet nga konvulsione të zgjatura mbi 15 minuta, kriza fokale, shpesh të dhëna EEG jonormale.

Zgjatja e krizës ndryshon nga pacienti në pacient. Kriza mund të paraqitet në temperaturë të ndryshme disa herë gjatë një dite apo periudha të zgjatjes së temperaturës.

Piku i incidencës së konvulsionve febrile është grupmosha 9-18 muaj.

Këto kriza janë të shoqëruara nga infeksione, si: tonsilitet, faringitet, otitet, etj.

Në 28 fëmijë, njëri do të ketë konvulsione febrile. Konvulsionet febrile kanë 3 elemente kritike:

  • mosha,
  • temperatura,
  • prirja familjare,
  • Tendenca për konvulsione febrile është e lidhur me një stad të caktuar të maturimit të trurit. Mbetet e paqartë pse imaturimi i trurit është i prekshëm nga temperatura.

Studime të ndryshme kanë treguar edhe faktorë rreziku të tjerë, si: pirja e duhanit gjatë shtatzënisë apo infeksionet respiratore të nënës gjatë 3-mujorit të parë të shtatzënisë.

Faktorët e rrezikut për përsëritje të konvulsioneve febrile.

Autorë të ndryshëm kanë studiuar rrezikun për përsëritje të konvulsioneve febrile. Rreth një e treta e fëmijëve që kanë pasur një konvulsion febril, do të kenë të paktën një përsëritje.

 Shkaktarët e konvulsioneve janë:
  • Një histori familjare me konvulsione febrile.
  • Kriza e parë febrile para moshës 18 muaj.
  • Një nivel jo shumë i lartë i temperaturës.
  • Fëmijët me dy apo më tepër faktorë kanë rrezik për përsëritje 30% brenda 2 viteve.
  • 50% e rrezikut për përsëritje realizohet brenda vitit të parë menjëherë pas konvulsionit të parë febril. 90% e fëmijëve që bëjnë përsëritje, kriza mund të shfaqet përsëri brenda 2 viteve.
  • Mosha është faktori përcaktues më i qëndrueshëm përsa i përket rrezikut të përsëritjes.
  • Me rritjen e moshës, rreziku për përsëritje bie.
  • Prania në historinë familjare e konvulsioneve febrile shoqërohet me rritje të rrezikut një deri dy herë. Fëmijët që kalojnë shpesh sëmundje febrile kanë rrezik të lartë për të bërë konvulsione febrile.
  • Deri në 50% e fëmijëve që bëjnë përsëritje, mund të bëjnë më tepër se një përsëritje. Faktorë të tjerë si historia familjare për epilepsia mund të luajnë gjithashtu rol në këta fëmijë që tashmë kanë bërë të paktën një përsëritje.

Të dhëna nga studime të ndryshme epidemiologjike japin shifra se nga 2 deri në 10% e fëmijëve me konvulsioneve febrile zhvillojnë epilepsi. Faktorët e rrezikut për kalimin e konvulsioneve febrile në epilepsi janë si më poshtë:

  • Prania e anomalive neurologjike para krizës febrile
  • Konvulsionet febrile komplekse
  • Anamnezë familjare për epilepsi

Në rastin e konvulsioneve febrile komplekse, sa më shumë manifestime komplekse, aq më i madh rreziku. Fëmijët me kriza febrile të zgjatura dhe fokale, janë veçanërisht në risk të lartë për epilepsi.

Shenjat:

  • Humbje e vetëdijes.
  • Dridhje e trupit dhe e muskujve.
  • Fëmija merr ngjyrë të kuqe në blu.
  • Konvulsionet zgjasin për disa minuta.
Trajtimi

Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët me konvulsione febrile të thjeshta nuk kërkojnë trajtim afatgjatë me antiepileptikë.

Prania e konvulsione febrile shkakton panik tek prindërit. Shpeshherë ata janë të painformuar mbi këtë situatë dhe gjenden krejt të papërgatitur për të vepruar. Ndjenja e frikës dhe e ankthit krijohet tek ata sa herë që fëmija i tyre paraqet temperaturë. Prandaj mjeku duhet t’i informoje prindërit me të gjithë informacionin e nevojshëm mbi konvulsionet febrile, mënyrën se si duhet të parandalohet kriza, veprimet që duhen ndërmarrë gjatë krizës dhe sigurisht që duhen informuar mbi prognozën e sëmundjes, e cila në shumicën e rasteve është beninje. Burimi/ Mjeku.net 

PËRGJIGJU

Ju lutem vendosni komentin e juaj?
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu