Më bëj një foto të lutem!

0
626

Thonë se, nëse nuk ke një kujtesë të mirë, atëherë bëje një prej letre. E pra, këtë pikën time të dobët, jam munduar ta forcojë me anë të fotove. Sigurisht,unë nuk mërzitem pse harroj Çfarë kam thënë më parë, apo se nuk përfshiva makaronat në listën e përditshme të pazarit.

Ajo që më frikëson më shumë është të mos të arrij të kujtoj një ditë momentet më të bukura me familjen time.

Më merr malli për fotot e dikurshme që tregonin realisht Çaste familjare, e jo sende me të cilat kemi mbushur sot instagramin apo mediat e tjera sociale.

Nuk e kam fjalën për ato fotot që i kemi të gjithë tek sheshi me prindërit, por ato të vërtetat brenda mureve të shtëpisë, duke luajtur me motrat e vëllezërit. Fotot, ku kemi dalë të shpenguar pa u brengosur se do të na gjykojë njeri për modelin e pizhameve, tavolinën e bukës gjysëm të shtruar, baluket e prera vet dhe modelin e flokëve që nuk dallonte motrën nga vëllai. Apo ato batanijet që i përdornin në shumicën e kohës si ngrohës…

Ato ishin momente të vërteta, se atëherë nuk kishte instagram.

Po i hidhja një sy instagramit tim sot, dhe vura re se unë kam shumë pak foto me fëmijët. Fotot janë të fëmijëve, të burrit me fëmijët, peisazh ku unë bëj fotografen, pastaj sërish djali, vajzat, po unë? Ku jam unë?!

Unë i bie të jem si në atë filmin shqiptar, “në ngjyra, në sfond”, por në foto asesi . ..dhe kjo ka dy arsye;

E para, sepse kësaj mamit këtu nuk ka kush t’i bëjë foto. Babit nuk i pëlqen si profesion. Ka dhe arsye të fortë.

“Këtë punë ke ti gjithë ditën foto”, – thotë!

Dhe kështu mua më iku ai momenti i këndshëm, teksa i laj fëmijët në dushin e famshëm të së dielës, edhe ai momenti tjetër, teksa ushqej me gji fëmijën tim. Sigurisht, iku edhe ai momenti kur nga xhelozia mes njëri – tjetrit më duhet t’i mbajë të dy fëmijët e vegjël në krahë, e t’i shëtis nëpër shtëpi.

Më iku dhe dhoma e tyre rrëmujë, ajo që sot më vret sytë se është kthyer përmbys, por nesër do t’më vrasë zemrën kur ta shohë të pastër.

Më iku dhe kjo, sepse kësaj mamit nuk ka kush t’i bëjë një foto. Unë në fund të fundit jam fotografja e familjes.

Por, më duhet ta pranoj që nuk është vetëm kjo. Një ditë më iku dhe një moment tjetër, teksa përgatisnim kekun e pasdites me vajzat, sepse unë vet doja të mbetesha në hije. Arsyeja ishte se nuk kisha vënë make up, isha shumë bio për fotot “e sotme”. Dhe duke jetuar në epokën e mediave sociale, a guxon kush ta hedh në instagram atë foto? Do thonë mos është sëmurë? Sa e pambajtur që është? E paskan lodhur fëmijët të shkretën!

Por Ç’rëndësi ka se Çfarë do thonë të tjerët, xhanëm? Unë nga sot dua t’i jap një përgjigje vetëm fëmijëve të mij, nga frika se një ditë do të më pyesin: Po ti mam, pse nuk ke qenë këtu me ne?

Fëmijët nuk do të mbajnë mend se sa keni shkëlqyer në karrierën tuaj, por do të kujtojnë nëse keni qenë atje pranë tyre, kur thanë fjalën e parë, kur hodhën hapin e parë, kur mësuan notin për herë të parë. Kujtoje mirë, a ishe dhe ti aty? Me siguri, ke qenë fotografja dhe ti, apo nuk ishe e denjë për atë foto?

Ndaj mama, përfshihuni në fotot familjare, pavarësisht nëse ajo do të mbetet në galerinë e telefonit tuaj, apo do të ndahet me të tjerët në instagram. Mos t’ju dridhet qerpiku për t’i kërkuar dikujt tjetër, qoftë edhe një të panjohuri në rrugë, t’ju shkrepë një foto me më të dashurit tuaj. Bëjeni këtë për fëmijët tuaj!

Janë këto Çaste të vogla që do të zgjasin përgjithmonë, edhe kur ne të mos jemi më.

 

PËRGJIGJU

Ju lutem vendosni komentin e juaj?
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu