80 të infektuar me fruth në Kosovë. Në gjendje të rëndë një foshnje 5 muajshe

0
1097

80 raste me fruth janë diagnostikuar në Kosovë brenda 4 muajve të fundit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht për portalin Cicërima, nga Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani.

” Rastet me fruth kanë arritur në 80 persona të prekur, thuajse nga të gjitha komunat e Kosovës, por gjendja më kritike paraqitet në Fushë Kosovë dhe në komunën e Ferizajt. Asnjë prej të infektuarve nuk ka qenë i vaksinuar më parë kundër fruthit, sipas kalendarit të imunizimit në Kosovë. Deri sot fatmirësisht nuk është shënuar asnjë rast vdekjeprurës nga fruthi. Disa pacientë të infektuar me fruth, pasi kanë marrë trajtimin me medikamente në spital janë përcjellë për në shtëpi. Aktualisht janë dy raste në gjendje më të rëndë. Ata i përkasin moshës 5 muajshe dhe një person tjetër 36 vjeç – u shpreh Ramadani.

Ndërkohë, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadani u shpreh për Cicërima-n, se shumë shpejt do të dalin me të dhënat nga terreni.

“Jemi ende në përcjellje evidente. Do të kemi shumë shpejt një informatë për shtyp.” – u shpreh Ramadani.

Në qendrat e mjekësisë familjare ka pasur fluks të vaksinimeve. Burimet konfirmojnë se punonjësit shëndetësorë janë detyruar të ushtrojnë presion, sidomos ndaj prindërve të cilët kanë vonuar imunizimin e fëmijëve me vaksinën MMR, e shumëpërfolur si shkaktare e autizmit dhe jepet kundër sëmundjes së fruthit rubeolës dhe shytave.

Një nënë nga Prishtina , e cila nuk ka dashur të identifikohet, shprehet se djali i saj është tashmë 20 muajsh dhe ende nuk e ka vaksinuar me MMR, e cila jepet kur fëmija sapo mbush vitin e parë.

-“ Jam pa fjalë në këtë situatë. Nuk di çfarë duhet të bëj. Nga njëra anë nuk dua të vazhdoj vaksinat e tim biri, pasi mendoj se janë të panevojshme në ditët e sotme , por nga ana tjetër kur dëgjova që fruthi ka mbërritur edhe në Kosovë nuk dua të rrezikoj më shumë, as fëmijën tim e as të tjerët që nuk janë vaksinuar. – u shpreh ajo.

Mosvaksinimi i fëmijëve 1 – vjeçar me MMR është shoqëruar më aktivizimin e sëmundjes së fruthit edhe në disa vende të Europës, ku ka pasur edhe viktima. Rasti më i rëndë është Rumania, ku humbën jetën 17 fëmijë nga fruthi.