10 ide për dhuratat e fundvitit me më pak se 15 euro

0
427

Mbaj mend, se kur isha e vogël i ruaja kursimet e mia për të blerë dhurata për familjen në fund të vitit. Ka qenë një nga momentet më të bukura të fëmijërisë sime. Jo vetëm që ndihesha shumë mirë me veten time, teksa mendoja dhe zbukuroja dhuratat për të afërmit e mi, por e ndieja dhe gëzimin e tyre kur merrnin suprizën për fundvit. Thonë se dhuratat i pranon edhe mbreti dhe unë i qëndroj kësaj shprehjeje. Nuk ka rëndësi se sa shpenzoni, por mjafon që ju keni ndarë pak kohë dhe pak para për të gëzuar të afërmit tuaj.

Më besoni, në këtë ritëm dinamik të jetës, kjo me të vërtetë duhet vlerësuar.

Më poshtë po ju tregoj disa ide dhuratash që mund t´i kompletoni me pak para.

  1. Një set dorashka, shall apo kapele? Këtë mund ta zgjidhni në varësi të personit që do t´ja dhuroni. Tani në dimër askush nuk mund t´i thotë jo një shalli , edhe pse në dollap mund të ketë dhjetë të tjerë.
  2. Një libër. Mund të tingëllojë pak e dalë mode, por ka ende njerëz që lexojnë në ditët e sotme të mediave sociale. Edhe në mos e lexoftë do të zbukurojë bibliotekën me këtë dhuratë. Ndaj, mos hezitoni të dhuroni titujt më të rinj të librave.
  3. Një shportë me ëmbëlsira, çajra dhe erëza. Ne këtë dhuratë ja dedikojmë gjysheve. Në shportë mund të vendosni biskota të gatuara vet në shtëpi, një kavanoz reçel, çajra, apo dhe erëza të ndryshme për të gatuar. Mos harroni edhe një kartolinë. Zakonisht, për këtë pjesë kujdeset vajza ime 6 vjeçare. E ku ka më mirë se ky urim nga mbesa apo nipi për gjyshet?
  4. Një lojë argëtuese. Kësaj liste unë do t´i shtoja edhe një lojë, e cila mund të luhet nga e gjithë familja. Pra një lojë, e cila i mbledh të gjithë anëtarët pranë njëri- tjetrit. Mund të jetë një komplet kartash të pokerit, një tavolinë shahu, apo pazëll i madh.
  5. Kornizë me foto. Për të afërmit tuaj të cilët kalojnë shumë kohë në zyrë mund t´i dhuroni një kornizë të bukur me një foto familjare në të. Alternativë tjetër është edhe ndonjë aksesor dekorues për tryezën e punës.
  6. Pandofla ose pizhame. Për familjaret femra mund të mendoni për këto dy dhurata, e sidomos për ato të cilat shpenzojnë shumë kohë në shtëpi. Në fundvit i gjeni në lirim shumicën prej tyre si edhe me dekore nga më të ndryshmet.
  7. Një shishe verë vendi. Kjo vlen sidomos për gjininë mashkullore të familjes. Vlerësohet gjithnjë dhe nuk del asnjëherë nga moda, madje është e vlefshme për çdo rast tjetër.
  8. Lodra për fëmijët, dhurata që për mua ka më shumë vlerë, pasi një lodër e re dhe e përshtatshme për moshën është gjithnjë një zgjedhje e bukur, e cila do t´i gëzojë ata pa masë.
  9. Një çakmak. Këtë pjesën të kisha mundësi do e hiqja, por të gjithë e kemi nga një anëtar në familje që nuk e pi cigaren, por e “ha“ atë. Ndaj për këtë kategori kam menduar për një çakmak të personalizuar me ndonjë shprehje të veçantë apo foto në të.
  10. Një set për lëkurën. Tani në dimër të gjithë kemi nevojë të rrisim përkujdesjen tonë për lëkurën, ndaj unë ju preferoj një set natyral për të gjitha femrat e familjes. Ujë trëndafili për pastrim dhe tonifikim ose një vitamin E në formë vajore, e cila e mban lëkurën të butë dhe të shkëlqyeshme. Për më tepër largon edhe rrudhat dhe çdo shenjë tjetër të lëkurës.